Katastrofa e zjarrit në Crans-Montana ku 47 vetë humbën jetën dhe 115 të tjerë janë plagosur, si u kthye në kurth vdekjeje lokali në Zvicër
Në rajonin e frekuentuar turistik, Crans Montana të Zvicrës viti i ri nis me një tragjedi: Gjatë një mbrëmjeje festive me rastin e vitit të ri në një lokal si pasojë e një zjarri të madh 47 vetë humbën jetën dhe 115 të tjerë janë plagosur. Shumë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, tha presidenti i këshillit të Valisit Mathias Reynard. Sipas autoriteteve, shumica e atyre që festonin ishin kryesisht të rinj të moshës 15 deri në 26 vjeç që po festonin vitin e ri kur shpërtheu zjarri në barin “Le Constellation” rreth orës 1:30 të mëngjesit. “Kjo është gjëja më e tmerrshme”, tha Presidenti i Këshillit Shtetëror të Valais, Mathias Reynard, në radion RTS, dukshëm i prekur dhe duke luftuar për të mbajtur lotët. “Pjesa më e tmerrshme është se ata janë të rinj. Dhe kur takoj të afërmit e tyre, ata janë miqtë, vëllezërit, prindërit e tyre. Është e tmerrshme.”
Pavioni i reanimacionit në spitalin e Valisit u mbush me pacientë, ndaj disa të plagosur u transportuan në spitale të tjera në Zyrih, Gjenevë, Luzanë dhe Sion. Skena tronditëse, njerëz të djegur, panik total – kjo është ajo që raportojnë të mbijetuarit. Dëshmitarët raportojnë edhe se pati shtytje e përplasje nga të gjitha anët. Ndërkohë po punohet për identifikimin e viktimave dhe hetimin e rrethanave se si ka ndodhur zjarri. Sipas mediave zvicerane aksidenti mund të ketë ndodhur nga përdorimi i mjeteve piroteknike. Ndërsa dy dëshmitare okulare, thanë, se zjarri është shkaktuar nga qirinjtë.
“Tronditje e thellë”
Presidenti i ri i Zvicrës Guy Parmelin u shpreh i tronditur thellësisht: “Një moment gëzimi, u kthye në tragjedi gjatë natës në Crans-Montana, që ka prekur thellë të gjithë Zvicrën dhe botën e jashtme”, shkruan Parmelin në platformën X.
“Zvicra është e trishtuar, por është gjithashtu e bashkuar në dhimbjen e saj”, tha Presidenti Federal Guy Parmelin në një konferencë për shtyp të enjten, duke folur për një nga tragjeditë më të këqija në historinë e vendit.”U detyrohemi respekt këtyre të rinjve”, tha Presidenti Federal Parmelin, “dhe duhet të bëjmë gjithçka për të siguruar që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë.”
Një zonë luksoze skijimi
Crans-Montana është një ndër rajonet më të njohura turistike në alpet zvicerane dhe mjaft i frekuentuar sidomos gjatë festave si Krishtlindjet dhe viti i ri lokalet janë tërësisht të prenotuara. Me shumë gjasë ndër viktimat ka edhe të turistë të huaj, vë në dukje policia.
Hetuesit po vazhdojnë kërkimet për viktimat e zjarrit në klubin Le Constellation, në resortën zvicerane të skive të Crans-Montana, ku humbën jetën mes flakëve rreth 47 persona e 115 të terë u lënduan.
Oficerët e mjekësisë ligjore ndodhen në vendngjarje, mes raporteve se shumë pacientë, disa deri edhe vetëm 15 vjeç, po trajtohen për djegie të rënda të shkallës së tretë. Zyrtarët paralajmërojnë se mund të duhen ditë apo edhe javë të tëra për të identifikuar viktimat. Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, por dëshmitarë të shumtë flasin për shkëndija fishekzjarresh të ndezura brenda lokalit që kanë mbërritur tavanin e tij.
Zjarri u përhap me shpejtësi rrufeje, me gjasë i favorizuar nga një shtresë materiali sintetik izolues që mbulonte tavanin e ulët të sallës. Mes personave të pranishëm shpërtheu paniku. Të rinjtë vërshuan drejt shkallëve për të tentuar të arrijnë daljen dhe shpëtimin, ndërsa tymi mbushi ambientin dhe penguar frymëmarrjen.
Dera e daljes që ndodhet në krye të asaj shkalle të ngushtë që ngjitet nga bodrumi, e turma e krijuar bllokon kësisoj të vetmen rrugë shpëtimi, teksa flakët përfshijnë dhe përpijnë të gjithë lokalin dhe ata që kanë mbetur pas, e në ambjentin e mbyllur, temperaturat sipas disave, mbërrijnë në disa qindra gradë. Corriere della sera flet për një Flashover, momenti më i rrezikshëm i një zjarri në ambiente të mbyllura (si bar, bodrum, klub), ku zjarri nis në një pikë si psh tavani.
Pastaj tymi dhe flakët mbushën të gjithë dhomën e brenda një kohe tejet të shkurtër gjithcka digjet njëherësh. Hetimet e Prokurorisë Federale do të përpiqen tani të përcaktojnë pse nuk kanë funksionuar sistemet dhe daljet e sigurisë. Këtyre pyetjeve, dhe shumë të tjerave, do t’u duhet të përgjigjet edhe çifti francez, pronarë të Le Constellation.

